Komiteti Shqiptar i Helsinkit organizoi një tryezë të hapur diskutimi, për të prezantuar dokumentin e qëndrimeve “Dritëhijet dhe Efektet e Hartës së Re Gjyqësore”.
Nëpërmjet këtij dokumenti të hartuar, KShH vë theksin fillimisht tek mungesa e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent të grupit të punës gjatë hartimit të Hartës së Re Gjyqësore. Gjithashtu evidentohen edhe efektet që riorganizimi i sistemit do të ketë në të drejtën për akses në drejtësi, duke e lidhur me mungesën e infrastrukturës në vendin tonë për të siguruar drejtësi pa vonesa dhe akses në drejtësi për të gjithë qytetarët. Dokumenti trajton gjithashtu edhe vakancat e sistemit dhe efektin që ky fakt ka në këtë proces.
Të ftuar në tryezë ishin Z. Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Z.Alexis Hupin, Kreu i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informativ pranë Delegacionit të BE në Shqipëri, Z.Klajdi Karameta, Zëvendës Ministër i Drejtësisë, Z.Ilir Rusi, Zëvendës Kryetar i KLGJ, Z.Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile, ambasadave të akredituara në vend, medias, avokatë, ekspertë të fushës.
Tryeza arriti të mbledh së bashku disa nga aktorët kyç të këtij procesi, duke bërë të mundur ndarjen e mendimeve dhe opinoneve të ndryshme, të cilat shërbejnë për të përmirësuar punën e gjithësecilit.
Ky aktivitet u realizua nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në kuadër të projektit “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues”, zbatuar nën drejtimin e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë.