Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) zhvilloi Tryezën e Diskutimit për të konsultuar gjetjet dhe disa rekomandime të adresuara përmes Dokumentit të Qëndrimeve mbi kontributin dhe sfidat e Shoqërisë Civile në Shqipëri.
Ky aktivitet, i udhëhequr nën moderimin e lektorit dhe gazetarit të mirënjohur Z. Lutfi Dervishi, u përshëndet nga Drejtoresha Ekzekutive e KShH, Znj.Erida Skëndaj, Ambasadori i i Mbretërisë të Vendeve të Ulta në Tiranë H.E. Mr. Reinout Vos, Avokate e Popullit Znj. Erinda Ballanca, Zëvendësministri i Drejtësisë Z. Tedi Dobi dhe Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Znj. Klotilda Bushka.
Në diskutim morën pjesë organizata të shoqërisë civile me një kontribut të dalluar në promovimin e demokracisë, përfaqësues të Agjencisë për Mbrojtjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), përfaqësues të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri, Ambasadës Franceze, si dhe mediat kombëtare.
Domosdoshmëria për ndryshime legjislative që adresojnë mungesën faktike të dialogut të hapur dhe të bashkëpunimit me institucionet, e regjistrit online të OJF-ve dhe lehtësirave fiskale ishin disa nga diskutimet kyç të parashtruara gjatë tryezës. Konkurrenca e pabarabartë, ulja e financimeve dhe pozita e pafavorshme e OJF-ve vendase në raport me ato ndërkombëtare u cilësua si shkak për krijimin e pabarazive të theksuara në mundësitë për mbështetje financiare.
Ky aktivitet i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) është realizuar në kuadër të projektit C1 – EU – NPA, “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien për të Përmbushur të Drejtat Bazike, përmes krijimit të Platformës së Negociatave të Cluster 1 Shqipëri”, zbatuar nga katër organizata shqiptare, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti për Studimet Politike dhe Instituti Shqiptar i Shkencës, me mbështetjen financiare të Embassy of the Netherlands in Albania.