Në kuadër të Muajit të Integrimit Evropian, i cili zhvillohet për të pestin vit radhazi si një hapësirë reflektimi mbi çështjet kyçe të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes organizoi tryezën e prezantimit të një vlerësimi të strukturuar mbi funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në një moment kur reforma në drejtësi ka kaluar fazën e ngritjes dhe ka hyrë në fazën e konsolidimit institucional, pyetja nuk është më nëse mekanizmat ekzistojnë, por sa funksionojnë, sa janë të qëndrueshëm dhe sa prodhojnë besim publik.
Ky raport sjell një risi të rëndësishme nuk analizon vetëm kuadrin ligjor, por teston në praktikë efektivitetin, eficiencën, cilësinë procedurale, përputhshmërinë me standardet dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit të vetëqeverisjes së sistemit të prokurorisë.
Për herë të parë, një analizë e tillë:
kombinon kuadrin normativ me praktikën reale të vendimmarrjes,
mbështetet në dokumente zyrtare, të dhëna institucionale dhe intervista me aktorë të sistemit,
dhe ofron një pikë reference të matshme për zhvillimin e ardhshëm institucional.
Gjetjet tregojnë një proces të dukshëm konsolidimi, stabilitet në vendimmarrje, arkitekturë normative të plotë, mekanizma funksionalë disiplinorë dhe transparencë të strukturuar.
Por njëkohësisht evidentojnë edhe sfida që lidhen me cilësinë e zbatimit, parashikueshmërinë e praktikës, dimensionin analitik të llogaridhënies dhe nevojën për kapacitete më të forta institucionale.
Diskutimi u pasurua nga kontributet e panelistëve me përvojë të drejtpërdrejtë në qeverisjen e sistemit të prokurorisë, në mbikëqyrjen parlamentare, në dimensionin ndërkombëtar të reformës dhe në analizën e politikave publike. Perspektivat e tyre sollën jo vetëm reflektim kritik, por edhe thellim profesional mbi balancën mes pavarësisë dhe llogaridhënies, mbi nevojën për standardizim të praktikës dhe mbi sfidat reale të konsolidimit institucional.
Raporti synon të vendosë një instrument të matshëm dhe të krahasueshëm në kohë, që të shërbejë si pikë reference jo vetëm për analizën e sotme, por edhe për vlerësimet e viteve në vijim, në mënyrë që progresi i sistemit të mos mbetet çështje perceptimi, por të matet mbi baza të qarta, transparente dhe të qëndrueshme.
Raporti i plotë është i aksesueshëm në linkun e mëposhtëm:
