Tryezë e diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies

CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes organizoi tryezën e diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”.

➤ Në hapje të aktivitetit, znj. Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, z. Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, dhe z. Silvio Gonzato, Ambasador i Bashkimit Evropian, shprehën vlerësimet e tyre mbi rëndësinë e garantimit të legjitimitetit institucional të drejtësisë penale përmes standardeve të integritetit dhe besueshmërisë.

➤ Z. Altin Dumani, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vuri në dukje disa nga sfidat komplekse me të cilat përballet SPAK në garantimin e një drejtësie efektive dhe të pavarur. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve institucionale, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së vazhdueshme për të siguruar që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të zhvillohet mbi baza profesionale, me integritet dhe pa ndërhyrje të jashtme.

➤ Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, theksoi nevojën për forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe përdorimit sistematik të të dhënave statistikore për të orientuar politikat në funksion të efikasitetit dhe transparencës.

➤ Znj. Mirela Bogdani, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, theksoi rëndësinë e rolit të KLP-së si organi qendror përgjegjës për qeverisjen e sistemit të prokurorisë, me mandat për të garantuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të prokurorëve, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Ajo shtoi se, ndërkohë që janë bërë hapa të rëndësishëm për forcimin e sistemit të prokurorisë, ekziston një vetëdije e qartë institucionale për nevojën e përmirësimit të vazhdueshëm, në funksion të një drejtësie gjithnjë më profesionale dhe të besueshme.

➤ Gjatë aktivitetit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, paraqiti një përmbledhje të të dhënave dhe gjetjeve kryesore në kuadër të procedimeve disiplinore, mbikëqyrjes së integritetit dhe nxitjes së sjelljes etike, si pjesë e ushtrimit të funksioneve të tij hetimore dhe monitoruese ndaj subjekteve të sistemit të drejtësisë.

📘 Raporti i përgatitur nga CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes synon të sjellë një vlerësim të plotë mbi mënyrën se si garantohet pavarësia dhe si funksionojnë mekanizmat e llogaridhënies brenda dhe jashtë institucionit. Raporti bazohet në një metodologji të qartë që ndan vlerësimin në 6 fusha kryesore: 3 për pavarësinë dhe 3 për llogaridhënien. Për secilën fushë janë analizuar një sërë kriteresh që lidhen me funksionimin e institucionit, rolin e aktorëve të përfshirë dhe zbatimin e garancive ligjore në praktikë.

Tryeza pati si qëllim të ofrojë një platformë gjithëpërfshirëse për dialog profesional ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke nxitur reflektim mbi zhvillimet e deritanishme dhe sfidat e vazhdueshme për konsolidimin e një drejtësie të pavarur, transparente dhe me llogaridhënie të mirëstrukturuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *