Fuqizimi i Dialogut për Sigurinë e Gazetarëve: Workshop me Prokurorë dhe Gazetarë

Hetimi i rasteve kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias mbetet një çështje e rëndësishme në Shqipëri, kyçe për krijimin e një mjedisi të sigurt, ku gazetarët të mund të ushtrojnë profesionin e tyre pa frikë nga hakmarrja apo vetëcensura.

Në vitin 2024, Prokurori i Përgjithshëm miratoi një qarkore për hetimin e rasteve kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe caktoi një pikë kontakti të posaçme. Më herët, në zyrat e prokurorive në të gjithë vendin janë emëruar prokurorë të medias. Megjithatë, të dhënat nga monitorimi i Rrjetit SafeJournalists dhe raporti i fundit i SCiDEV dhe BIRN Albania tregojnë se numri i rasteve të raportuara nga gazetarët dhe punonjësit e medias është i ulët, edhe për shkak të mungesës së besimit, ndërgjegjësimit dhe mbështetjes ligjore.

Për të adresuar këtë situatë, SCiDEV, në bashkëpunim me Free Press Unlimited, Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Citizens.al dhe Shoqatën e Gazetarëve të Shqipërisë organizuan “Workshop-in me Gazetarë dhe Prokurorë mbi Standardet e Lirisë së Shprehjes dhe Lirisë së Gazetarëve”, duke bashkuar prokurorë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar mbi çështjet e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve.

Në fjalën e hapjes, Sh.T. Ambasadori Reinout Vos theksoi ngushtimin e hapësirës për gazetarinë e pavarur, duke nënvizuar nevojën për të mbrojtur gazetarinë në interes të publikut. Kostaq Beluri, Prokuror, Drejtor i Drejtorisë për Koordinimin Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, përsëriti angazhimin e institucionit për sigurinë e gazetarëve: “Prokuroria e Përgjithshme ka nxjerrë një qarkore për vëmendje të shtuar ndaj rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve dhe jemi të hapur për bashkëpunim më të gjerë, si dhe për aktivitete sensibilizuese dhe edukative”, theksoi ai.

Drejtoresha Ekzekutive e SCiDEV, Blerjana Bino, në fjalën e saj të hapjes, falënderoi pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin, dhe përtëriti përkushtimin e organizatës për të punuar me gazetarë, institucionet e zbatimit të ligjit dhe organizatat e shoqërisë civile, në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të favorshëm, ku gazetarët të ushtrojnë lirshëm detyrën e tyre në mbrojtje të interesit publik.

Gjatë pjesës së parë të diskutimeve, të moderuar nga gazetari dhe eksperti i komunikimit Neritan Sejamini, workshop-i shërbeu si platformë për dialog konstruktiv mes gazetarëve dhe prokurorëve. Gazetarja Esiona Konomi theksoi nevojën për mekanizma konkretë për të rritur bashkëpunimin, duke propozuar që SCiDEV dhe Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë të lehtësojnë tryeza në të 12 qarqet mes prokurorive dhe gazetarëve lokalë.

Gjithashtu, gazetari Osman Stafa shtoi se gazetarët në Shqipëri përballen me kërcënime në rritje, por shumë prej tyre hezitojnë të raportojnë për shkak të mungesës së besimit te institucionet dhe frikës nga hakmarrja. “Rrjeti SafeJournalists na ka mbështetur kur kemi qenë nën sulm, por kemi nevojë që institucionet të reagojnë,” theksoi ai.

Prokurorët dhe gazetarët eksploruan më tej mënyrat për të kapërcyer tensionet dhe nivelet e ulëta të besimit në disa raste, duke njohur misionin e përbashkët për të kërkuar të vërtetën dhe për të mbrojtur interesin publik.

Pjesa e dytë iu kushtua një Workshop-i mbi Sigurinë e Gazetarëve dhe diskutimit të rasteve studimore, i moderuar nga gazetari i pavarur Artan Rama. Diskutimet u ndalën edhe tek rëndësia e hetimeve të shpejta për krimet ndaj gazetarëve. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, prezantoi dy raste studimore, duke theksuar se ka vonesa dhe pezullime në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve. “Hetimi i plotë dhe transparenca janë thelbësore për ndërtimin e besimit,” theksoi ajo.

Më tej, Jasmijn de Zeeuw, Këshilltare Ligjore nga Free Press Unlimited në Holandë, udhëhoqi një workshop mbi rëndësinë e standardeve të Këshillit të Europës dhe atyre ndërkombëtare, duke deklaruar: “Na duhet një botë më e sigurt për të vërtetën, dhe zbatimi i standardeve për lirinë e shprehjes dhe hetimet prokuroriale është kyç për ndërtimin e kësaj sigurie.”

Workshop-i u mbyll me një angazhim të përbashkët për përfshirje të qëndrueshme, përmirësime në politika dhe mekanizma të shtuar mbrojtjeje. Në vazhdim, palët ranë dakord mbi nevojën për konsultime të rregullta, fushata ndërgjegjësimi dhe përpjekje për ndërtim kapacitetesh për të mbrojtur integritetin e gazetarisë në Shqipëri.

Ky workshop u zhvillua më 3 mars, në kuadër të projektit “Fuqizimi i Sigurisë së Gazetarëve përmes Bashkëpunimit me Aktorët dhe Zhvillimit të Kapaciteteve të Gazetarëve në Shqipëri”, zbatuar nga SCiDEV në bashkëpunim me Citizens Channel dhe Free Press Unlimited, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri, dhe përfaqëson një nismë që synon të forcojë partneritetet dhe të ngrejë nivelin e diskutimit mbi sigurinë mediatike në Shqipëri.

SCiDEV mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me institucionet përkatëse për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e aktorëve, si dhe për të gjeneruar rekomandime të bazuara në prova përpara zbatimit të programeve të ndërtimit të kapaciteteve për gazetarët në fazën e ardhshme të projektit. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të muajit të Angazhimit Qytetar për Integrimin Europian në temën e Clusterit 1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *