Nga historia tek metodologjia e re e zgjerimit të BE: Një metodologji  më e “zgjuar” apo më e “zgjatur”

Nga Geron Kamberi

Nëse do të përkufizonim një politikë apo metodologji të mirëfilltë zgjerimi që nga 25 Mars 1957 kur u krijua Komuniteti Ekonomik Europian – KKE dhe deri në nënshkrimin e Traktatit të Mastrihtit të 7 Shkurtit 1992 , kjo periudhë 35 vjcare e historisë së BE është e lidhur me “dy valët apo dekadat e para zgjerimit të BE” , në veri dhe jug të Europës të Perëndimore që përkojnë me vitet 1979-1980 dhe 1980-1990.

Nga ana tjetër kur analizojmë përllogaritjen mesatare kohore të kohëzgjatjes së negociatave në këto valë zgjerimi do të kuptojmë se shumë gjëra ishin më të thjeshta për të merituar emrin “politikë apo metodologji zgjerimi” . Në mënyrë të vecantë gjatë valës apo dekadës së dytë të zgjerimit në jug të Europës ( 1980-1990) me vende si Spanja, Greqia e Portugalia të cilat kishin dalë nga sistemet autokratike , logjika e “luftës së ftohtë” u shoqërua me “ arsyetimin e nxehtë emocional “ brenda vendeve të anëtare të BE.

Kjo spikati vecanërisht në rastin e pranimit të Greqisë, kur opinioni negativ i Komisionit Europian të 12 Shtatorit 1975 u kapërcye nga “arsyetimi” i ministrave të jashtëm se “mosanëtarësimi i Greqisë kushtonnte më shumë sesa anëtarësimi” . Gjithsesi vetëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe trokitjeve të para të ish- vendeve komuniste të Europës Qëndrore e Lindore në derën e unionit, BE do të përvijonte një “ ngrehinë” të tërë ligjore e institucionale që do të përkufizohej si “politika apo metodologjia e zgjerimit “ nën togfjalëshin “ Kriteret e Kopenhagenit” .

Samiti i Kopenhagenit i mbajtur në Qershor 1993, do të shënonte fillimin e një “metodologjie” të mirëfilltë zgjerimi, ku vendet e Europës Qëndrore e Lindore do të duhej të përmbushnin një sërë kriteresh politike e ekonomike, duke kaluar në “ purgatorin” e negociatave “ në mënyrë që tu hapeshin “dyert e parajsës” për në BE.

Përtej këtij krahasimi apo alegorie, në fakt politika e metodologjia e zgjerimit të BE që nga viti 1993 u përcaktua nga cdo vend kandidat si një rrugëtim linear ku duheshin përmbushur 3 kritere si 1) kriteri politik 2) kriteri ekonomik që u njohën si Kriteret e Kopenhaagenit dhe 3)kriteri i kapaciteteve administrative që u njoh si Kriteret e Madridit . Termi që nisi të përdorej gjithnjë e më shpesh dhe që do të ishte shtylla e metodologjisë së zgjerimit pas vitit 1993 ishte ‘acqui communitaire” . Në vetvete ky term nga gjuha frënge ishte i lidhur me dy fjalë kryesore që mëshironin thelbin e kësaj metodologjie zgjerimi : acquis që do të thotë “ i marrë nga “ dhe communautaire “i komunitetit”, pra termi acqui communtaire nënkupton“ legjislacionin që merret nga Komuniteti Europian”. Në këtë mënyrë, procesi e metodologjia e zgjerimit parashikonte që cdo vend kandidat për në BE të përfshinte dhe të përshtaste në legjislacionin e vendit të tij këtë acquis që është e ndarë në 35 kapituj.Duke patur parasysh këtë zhvillim, vetë metodologjia e zgjerimit përcakonte që cdo vend kandidat dhe ekipi i tij negociator duhet të mbanin një sy nga tavolina e negociatave dhe një sy nga Acqui Communitaire që përditësohej rregullisht në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian (OJEU – The Official Journal of the European Union ), e cila botohet prej vitit 1952 ndërkohë që nga viti 1998 ofrohet përmes shërbimit EUR-Lex. Në mënyrë të vecantë për cdo vend kandidat në këtë gazetë kanë rëndësi dy seritë e botimit të saj sic është Seria L (Legislation- Legjislacioni) që përmban botimin e legjislacionit të BE-së ku përfshihen rregulloret, direktivat, vendimet, rekomandimet dhe mendimet. 2)Seria C (Courts- Gjykatat) që përmban raporte dhe njoftime duke përfshirë vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe Gjykatës së Përgjithshme (e njohur më parë si Gjykata e Shkallës së Parë të NBE .

Në këtë rrugëtim të procesit e metodologjisë së zgjerimit drejt BE, një nga shtyllat kryesore është ngrehina institucionale brenda Komisionit Europian. Evoluconi institucional ka dëshmuar sesi ka lëvizur rëndësia e dinamika e këtij procesi dhe metodologjia e tij përgjatë viteve. Nga ky këndvështrim vërehet se portofoli i Komisionerit Europian për Zgjerimin ( EU Enlargement Commissioner) u krijua vetëm në vitin 1999, pas miratimit të Traktatit të Amsterdamit ( 02 Tetor 1997 )dhe faktit që BE kishte nisur negociatat e po përgatitej të anëtarësonte 10 vende të Europës Qëndrore e Lindore.

Ndërkohë një zhvillim domethëmës ishte Politika e Fqinjësisë e BE (European Neighourhood Policy – ENP) që u krijua në vitin 2004 për shkak se nga anëtarësimi i menjëhershëm i 12 vendeve kandidate , ku 10 ishin vende të EQL dhe 2 vende i përkisin Mesdheut Jugor, kufijtë e jashtëm të BE u zgjeruan dukshëm me vende të tilla si Armenia, Ukraina, Bjellorusia, apo Libia, Egjipti etj. Me këtë politikë tashmë do të merrej Komisioneri Europian për Marrëdhëniet me Jashtë ( EU Commissioner for External Relations). Por sërish këto zhvillime u pasuan me ndryshime të mëtejshme teksa pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës( TFEU) më 01 Dhjetor 2009 portfofoli i Komisionerit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë ( EU u shkri me atë të Përfaqësuesit të Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë (High Representative of the Union for Foreign Affairs and Security Policy).

Si rrjedhojë pas këtij ndryshimi Politika e Fqinjësisë ( ENP) e BE u menaxhua deri në vitin 2014 nga Komisioneri i BE për Tregtinë( EU Trade Commissioner) kur më pas kaloi si fushë përgjegjësie e Komisionerit të BE për Politikën e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë ( EU Commissioner for Enlargement and Neighbourhood Policy) duke e shkrirë politikën e zgjerimit dhe atë të fqinjësisë së BE në një post të vetëm. Një nga pasqyrimet e këtij ndryshime institucional në raport me procesin e zgjerimit të BE, është “Paketa e Zgjerimit” ( Enlargement Package ) që Komisioni Europian miraton cdo vit , ku përfshihet një komunikatë për procesin e zgjerimit drejt BE që përcakton hapat që duhet të ndjekë cdo vend kandidat dhe progress raportet e cdo vendi.

Gjithsesi “ vala apo dekada e katërt” zgjerimit që përfshiu procesin e anëtarësimit të formatit “Bing Bang” me vendet e Europës Qëndrore e Lindore kishte një mesatare të kohëzgjatjes të negociatave nga 3 deri në5 vjet. Kjo nënkuptonte se dëshira dhe entuziazmi i vendeve anëtare të BE për tu zgjeruar në ish- Lindjen komuniste e kishin mundur deri diku “ logjikën e ftohtë dhe mekaniciste të negociatave”. Por nga ana tjerër kur vala e zgjerimit , iu afrua rajonit të Europës Juglindore apo Ballkanit Perëndimor, duket se u pati një stepje, qoftë para termit që “ këto vende duhet të stabilizohen e më pas të asociohen”, por edhe ndoshta se “kapaciteti përthithës” i BE kishte filluar të shfaqte probleme. Termat si “ lodhje nga zgjerimi” filluan të shfaqen në horizont dhe përvec Kroacisë që ia doli pas 7 vjet negociatash ta kapërcente tunelin e gjatë të anëtarësimit në BE , 6 vendet e tjera të Ballkanit ( Serbia., Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria, Kosova e Bosnja Hercegoniac ) që prej 5 Shkurt të 2020 po përballen me një metodologji të re zgjerimit për në BE .

Serbia dhe Mali i Zi si dy nga vendet e ËB6 që kanë nisur negociatat me BE, filluan të ndjejnë peshën se politika e metodologjia e zgjerimit për Ballkanin tashmë kishte ndryshuar, Kjo u vërejt që me Kroacinë ku u përckatua “Parimi i Regatës-(termi në anglisht “Regata approach) nënkupton-kush mbërrin i pari.

Mali i Zi tashmë ka hyrë në vitin e 10-të të negociatave pasi i filloi ato më 29 Qershor 2012 duke hapur 30 kapituj të acquis dhe duke mbyllur 6 prej tyre. Ndërkohë Serbia ka hyrë në vitin e 8 -të të këtyre negociatave teksa i fillioi ato më 21 Janar 2014 duke arritur të hapë deri tani 18 kapituj e duke mbyllur vetëm 2 prej tyre

.Që prej vitit të kaluar të dy vendet janë bërë pjesë e metodologjisë së re të zgjerimit të BE dhe kohëzgjatja e tyre e deritanshme e negociatave e ka kapërcyer dyfshin e kohëzgjatjes mesatare të negociatave me të cilat u përballën vendet e Europës Qëndrore e Lindore,. Nëse bëjmë një vlerësim të përmbledhur të metodologjisë së re të zgjerimit që BE miratoi më 25 Mars 2020, ajo është e mbështetur në katër parime themelore që duhet të kenë negociatat e BE me vendet kandidate 1)besueshmëri, 2)drejtim më të fortë politik, 3) dinamikë dhe 4) parashikueshmëri.

Në pamje të parë duket sikur këto elementë kanë munguar në negociatatat e mëparshme me vendet kandidate , por në fakt janë reflektim i një prirje për ti theksuar më shumë këto parime. Pra, nëse analizojmë ndarjen e parimeve sipas metodologjisë së re, rezulton të jetë një mënyrë për të kontrolluar një proces që nuk duhet të bëhet “mekanicist” përballë negociatave teknike të vendit kandidat me Komisionin Europian. Qasja e re ka marrë një rëndësi të vecantë kur aspektet themelore të funksionimit të demokracisë së një vendi kandidati mund të “errësohen” nga “mali me ligje të acquis” të miratuar, që ky vend vendos si sukses në tavolinën e negociatave. Për këtë arsye ndryshe nga metodologjia e deritanishme , metodologjia e re i rigrupon të 35 kapitujt e acquis communitare në 6 grupe tematike (termi në anglisht clusters) .

Në bazë të këtij parimi të ri metodologjik për negocitatat e vendit kandidat me BE , plotësimi i detyrimeve për kapitujt që përmban njëri grup, i hap rrugën çeljes së kapitujve të grupit të radhës. Në këtë mënyrë ndiqet një logjikë e njëpasnjëshme dhe jo paralele sic parashikonte metodologjia e mëparshme ku disa kapituj mund të hapeshin njëkohësisht. Në këtë kuadër Grupi i I-rë( Cluster) :Themeloret, përfshin plotësimin e kushteve të kriterit ekonomik, të funksionimit të institucioneve demokratike dhe të reformës në administratën publike si pjesë e Kritereve të Kopenhagenit( 1993) dhe Madridit (1995) si edhe plotësimin e acquis përmes rezultateve në Kapitullin 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore, Kapitulli 24: Drejtësia, liria dhe siguria, Kapitulli 5: Prokurimi publik, Kapitulli 18: Statistikat, Kapitulli 32: Kontrolli financiar.

Metodologjia e re e zgjerimit e konsideron këtë grup si “themelin” e negociatave pasi ai do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit, ku përfshihen çështjet e gjyqësorit dhe funksionimit të dëmokracisë. Në këtë kuptim është e qartë dhe e dukshme se metodologjia e re e zgjerimit e ve theksin tek përmirësimi dhe funksionimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke i konsideruar si parakushte themelore për hapjen e kapitujve lidhur me aspektet ekonomike dhe standartet teknike të fushave të caktuara. Nëse përdorim një term të thjeshtë kjo në vetvete pasqyron një “rizgjim” të vëmendjes të BE për të rindëtuar një “proces më të zgjuar” që sipas tyre është në gjendje të dallojë “fasadën” nga realiteti i funksionimit të demokracisë e shtetilt ligjor. Megjithëse siç kanë provuar rastet e fundit në Hungari e Poloni “vaksina e anëtarësimit” nuk të mbron nga viruset që qarkullojnë në mjedisin politik. Ndërkohë logjika e ndërlidhur tematike dhe sektoriale në metodologjinë e re të zgjerimit ka bërë të mundur që kapitujt e mbetur të Acquis të përfshihen në grupet e tjera (cluster).

Megjithatë pesha politike që marrin vendet anëtare të BE brenda kësaj metodologjie rrezikon ta zgjasë atë në kurriz të vendeve kandidate. Parashikimet e shpejtuara mund të jenë të rrezikshme kur analizon, por ka elementë që e ringjallin këtë “frikë” të parakohshme. Me këtë metodologji, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të kenë më shumë fuqi për të nxitur pezullimin e negociatave të anetarësimit në vartësi të vlerësimit që ata bëjnë ndërsa i tërë procesi i negociatave edhe mund të pezullohet nëse vlerësohet se nuk ka pasur përparim apo kur ndonjë shtet kandidat bën hapa prapa. Gjithashtu metodologjia e re parashikon edhe mundësinë e pezullimit të fondeve të BE-së, me përjashtim të atyre që janë të dedikuara për shoqërinë civile, për ato shtete që shënojnë përkeqësim të situatës në ato fusha që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut.

Përkundër historisë së këtij procesi, metodologjia e re zgjerimit shfaqet herë si sfidë, e mundësi për vendet aktuale kandidate si Shqipëria e Maqedonia e Verit që pritet të fillojnë negociatat me BE, por edhe si një lloj rreziku që ky proces mund të zgjatet përtej një kufiri të arsyeshëm. Siç dihet tashmë frika nuk është këshilltar i mirë për të përballur një sfidë por metodologjia e re e zgjerimit është një këmbanë për vendet kandidate që të zgjohen nga një lloj inercie dhe rutine institucionale të deritanishme me anë tët të cilave kane përballur këtë proces deri tani. Pavarsisht dyshimit të arsyeshëm se kjo metodologji ka rrezik ta zgjasë këtë procesin e negocjatave, në thelb ky rrezik ka një mënyrë të shmanget. Nëse de e përmbledhnim në mënyrë të figurshme kjo shmangie është e lidhur me pohimin se secili vend kandidat, pa hedhur “themelet” e forta nuk do të mund të ndërtojë “katet e plota të godinës së anëtarësimit”.


[1] 1) Deklarata e Europës e 9 Majit 1950 ( Deklarata Shuman) 2) Traktati i  Parisit ( 18 Prill 1951- ECSC Treaty) ; Për krijimin e Komunitetit të Qymyrit e Celikut dhe  3)Traktati i Romës ( 25 Mars 1957- EEC Treaty ) : Për krijimin e  Komunitetit Ekonomik Europian – EEC –European Economic Community)

[1] e cila lindi mbi bazën Konventës së Stokholmit, të nënshkruar më 4 Janar 1960 në kryeqytetin suedez nga shtatë vende (të njohur si “ shtatë anëtarët e jashtëm” të KKE)  ku përfshiheshin1)Austria, 2)Danimarka, 3)Norvegjia, 4)Portugalia, 5)Suedia, 6)Zvicra dhe 7)Mbretëria e Bashkuar( Anglia) .

[1] katër vende si (1)Anglia(e dalë me referendum nga BE më 23. .06.2016) , 2)Danimarka, 3)Portugalia dhe 4)Suedia ,  duke lënë aktualisht në këtë strukturë vetëm 4  shtete që janë   Zvicra, 2)Islanda, 3)Lihtenshtejni dhe 4)Norvegjia.

[1] Përacktuar gjatë Samitit tw BE mbajtur në Madrid 15-16 Dhjetorit 1995 , gjatë presidemcës spanjolle.

[1] ( Regata – gara me vela ) apo “ Parimi i rrobaqepësit ( termi në anglisht Tailor made approach ) nënkupto- – secilit kostumin sipas trupit)

[1] Grupi i  II-të( Cluster II): Tregu i brendshëm ku bëjnë pjesë Kapitulli 1: Lëvizja e lirë e mallrave , Kapitulli 2: Lëvizja e lirë e punëtorëve , Kapitulli 3: E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime , Kapitulli 4: Lëvizja e lirë e kapitalit , Kapitiulli 6: Ligji i kompanive Kapitulli 7: Ligji për pronësinë intelektuale , Kapitulli 8: Politika e konkurueshmërisë, Kapitulli 9: Shërbimet financiare , Kapitulli 28: Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit ,  Grupin e III-të ( Cluster III) : Konkurueshmëria dhe rritja ekonomike gjithëpërfshirëse , Kapitulli 10. Shoqëria e informacionit dhe media , Kapitulli 16. Taksimi . Kapitulli 17.Politika ekonomike e monetare Kapitulli 19.Punësimi dhe politika sociale Kapitulli 20. Ndërmarrjet dhe politika industrial , Kapitulli 25: Shkenca& kërkimi shkencor  Kapitulli 26. Arsimi dhe kultura  Kapitulli 29 Bashkimi doganor   Grupi IV ( Cluster IV): Agenda e gjelbër dhe transporti i qëndrueshëm  Kapitulli 14.Politika e transportit ,Kapitilli 21. Rrjet Ndëreuriopiane të Transportit , Kapitulli 27. Mjedisi  Grupi i V ( Cluster V) Burimet natyrore, bujqësia dhe kohezioni Kapitulli 11. Bujqësia dhe zhvillimi rural , Kapitulli 12. Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare , Kapitulli 13.Peshkimi  Kapitiulli 22.Politika rajomale dhe koordinimi i instrumentae të fondeve strukturore Kapitulli 33: Dispozitat financiare & buxhetore  Grupi VI ( Cluster VI) ; Marrëdhëniet me jashtë  Kapitulli 30 Marrwdhëniet me jashtë  Kapitulli 31.Politika e jashtme, mbrojtjes dhe sigurisë  Kapitulli 34.Institucionet , Kapitulli 35. Cështje të tjera

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *