Reforma në drejtësi: Roli, bilanci dhe sfidat e Inspektorit të Ri të drejtësisë (ILD)” ishte tema që mblodhi së bashku në një diskutim përfaqësues nga Kuvendi, Qeveria, institucionet e drejtësisë, diplomatë dhe shoqëria civile. Organizuar nga Instituti i Studimeve Politike / Institute for Political Studies pjesë e diskutimeve u bënë Ambasadori Reinout Vos Embassy of the Netherlands in Albania, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, kryenegociatorja me BE-në Majlinda Dhuka, drejtueset e Komisionit të Ligjeve në Kuvendi i Shqipërisë Klotilda Bushka dhe Dhurata Çupi, kryetarët e KLGJ dhe KLP Naureda Llagami dhe Alfred Balla. Eksperti ligjor Erind Mërkuri paraqiti gjetjet kryesore nga raporti vlerësues për ILD, raport mbi të cilin u diskutua gjatë aktivitetit.
Institucionet e reja të drejtësisë kanë sfidën të formësojnë dhe të drejtojnë një sistem të ri më transparent, më profesional dhe më imun ndaj korrupsionit. ILD është institucion i ri me rol thelbësor në këtë sistem dhe një prej shembujve pozitiv në bilancin 3 vjeçar. Raportet midis ILD dhe institucioneve, problematikat e bashkëveprimit, raportet mes perceptimit e pritshmërive publike dhe rezultateve, inspektimet ndaj rasteve abuzuese dhe ato tematike, trajtimi i ankesave qytetare dhe praktikat procedurale hetimore dhe vendimmarrëse, etj, ishin disa prej temave të diskutuara në takimin e sotëm.