Konferenca ” Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Drejtësisë në forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE” e organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes në bashkëpunim me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ofroi një platformë për diskutimin rreth rolit të ILD-së në fuqizimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe përgatitjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pjesëmarrja e autoriteteve lokale, përfaqësuesve diplomatikë, akademikëve dhe profesionistëve të drejtësisë kontribuoi në një analizë të thellë dhe diskutimin e sfidave dhe mundësive të sistemit gjyqësor në këtë kontekst.
Në këtë konferencë u theksua se drejtësia është themeli i një shoqërie demokratike dhe pikë reference e sundimit të ligjit. Gjithashtu, diskutimi u ndal në rëndësinë e kulturës gjyqësore si një nga elementet kryesore që ndikojnë në integritetin dhe efikasitetin e drejtësisë.
Në hapjen e konferencës, Arjan Dyrmishi, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë, Ambasador Reinout Vos nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, dhe Lenka Vitkova, Kryetare e Sektorit të Drejtësisë, Delegacioni i BE, u fokusuan mbi relevancën e diskutimit dhe në nevojën e pavarësisë dhe integritetit të drejtësisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Hulumtuesit e CSDG-së ndanë gjetjet mbi dokumentin për diskutim “Forcimi i kulturës gjyqësore si mjet për zbatimin e efektshëm të reformës në drejtësi dhe roli i ILD”, të fokusuara në përmirësimin e kulturës gjyqësore, duke përfshirë trajnime të përshtatshme, promovimin e një kulture të integritetit dhe transparencës, si dhe thellimin e hulumtimeve për të vlerësuar pavarësinë e gjyqësorit në kontekstin e kulturës.,
Temat e diskutuara dhe rekomandimet e bëra nga pjesëmarrësit synuan të kontribuojnë në forcimin e kulturës gjyqësore, që është thelbësore për pavarësinë, integritetin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Paneli i diskutimit ka pasur fjalë nga ekspertë të fushës si Isida Koka, këshilltare në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Dr. Erind Merkuri, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, dhe Marash Logu, këshilltar ligjor në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, si dhe ndërhyrje nga ekspertë të huaj si Rene van Veen, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Den Bosch, dhe Bart de Bruijn, Regional Rule of Laë Coordinator, Embassy of the Kingdom of the Netherlands in Serbia and in Montenegro, të cilët ndanë qasjen e tyre ndaj temës.