Në Tiranë u mbajt Samiti BE-Ballkani Perëndimor, një tjetër ngjarje madhore sa i përket pozicionit strategjiko-politik të BE kundrejt vendeve të rajonit dhe po ashtu vlen të përmendet se Parlamenti Evropian miratoi një Rezolutë të re mbi procesin e zgjerimit, ku ndër të tjera i kërkon Komisionit dhe vendeve anëtare të shtyjnë përpara procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit.
Mbajtja e Samitit në Tiranë dhe për herë të parë në Ballkanin Perëndimor është një sinjal i mirë por jo një konkluzion. Integimi në BE nuk është një proces shtetëror por shoqëror dhe kombëtar. Samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë ndaj BE-së. Temat kryesore të diskutimit kishin në fokus:
- Trajtimin e pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës
- Intensifikimin e angazhimit politik
- Forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja
- Adresimin e sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimi i organizuar
Data 19 korrik 2022 shënoi një moment kyç për historinë e Shqipërisë dhe rrugëtimit të saj drejt thirrjeve “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveriare përbën një mesazh të fortë politik për një vend i cili aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, por siç është përmendur shpesh, ky moment nuk është fundi por fillimi i shtegut që do të duhet të përmbushet.
Që nga ajo datë, rrugëtim tashmë ka nisur dhe Shqipëria ka filluar të ketë një vlerësim mbi përputhshmërinë e legjislacionit të saj me atë evropian. Pasi Komisioni iu prezantoi zyrtarisht legjislacionin e BE autoriteteve shqiptare në shtator-tetor[1], në nëntor, përfaqësuesit e insituticoneve shqiptare kanë prezantuar pranë Komisionit Evropian legjislacionin shqiptar për fushat që mbulon Cluster 1 dhe këto prezantime do të vazhdojnë edhe gjatë dhjetorit[2].
Të gjithë këto zhvillime gjatë gjysmës së dytë të këtij viti do të duhet t’i japin një zhvilim të ri marrëdhënieve të Shqipërisë me BE. Edhe pse proceset formale janë duke u zhvilluar, do të duhet që institucionet, sidomos ato të pushtetit ekzekutiv të zbatojnë politika dhe standardet e kërkuara në mënyrë që procesi i integrimit të mos ketë pikë ndalese dhe për më tepër kthese në të kundërt.
Shqipëria do të duhet të bëjë kujdes me procesin e amnistisë fiskale dhe penale pasi një miratim i saj në stadin e draftit aktual do të ishte një kundërshtim i hapur i rekomandimeve dhe kërkesave të BE. Gjithashtu, ideja e qeverisë shqiptare për të aplikuar skemën e shtetësisë përmes investimit – e njohur ndryshe si “pasaporta e artë” është kritikuar ashpër nga Bashkimi Evropian në dy raportet e fundit të KE.
Sa i pëkret raportve të KE në vitet e fundit, pavrësisht progresit të shprehur, në fakt Komisioni nuk e ka rritur nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për kapitujt që janë pjesë e Grupkapitullit të parë (Cluster 1).
Ndaj është e nevojshme që duke u bazuar në fakte dhe vlerësime reale, Shqipëria vazhdon të mbetet prapa në procesin e integrimit krahasuar me shumicën e vendeve të rajonit. Zbatimi i standardeve dhe ligjeve të miratuara ngelet ende një sfidë e madhe jo vetëm e institucioneve, por në tërësi e shoqërisë shqiptare.
Pavarësisht se gjatë këtij viti janë arritur në letër disa momente historike në rrugëtimin evropian të vendit tonë, sfidat reale sapo kanë nisur dhe për të qenë të përgatitur jo vetëm që duhet të “evropianizohemi” por do të duhet të jemi kritik dhe jo euforik në këtë rrugëtim që do të jetë po aq i gjatë sa ne jemi të përgatitur të fokusohemi.
[1] Takimet shpjeguese u zhvilluan në Bruksel për të gjithë Cluster dhe kapitujt negociues. BE iu kishte prezantuar legjislacionin evropian autoriteteve shqiptare edhe gjatë periudhës 2018-2019
[2] Në takimet bilaterale vendi kandidat i paraqet Komisionit Evropian legjislacionin kombëtar sipas fushave përkatëse dhe nga ky moment Komisioni përgatit screening report