Komiteti Shqiptar i Helsinkit organizoi një tryezë të rrumbullakët konsultimi për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Dokumentit të Politikave: “Sfidat e Edukimit Ligjor të Publikut në Shqipëri”.
Ky dokument përveç se vendos theksin tek rëndësia që edukimi ligjor i publikut ka, analizon gjithashtu implementimin e deritanishëm të Strategjisë së Edukimit Ligjor të Publikut të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si dhe ofron disa nga eksperiencat më të mira të vendeve të tjera në lidhje me edukimin ligjor të publikut.
Ky dokument sugjeron një bashkë-koodrinim më të mirë mes institucioneve përgjëse dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe mes vetë institucioneve të ngarkuara me përgjegjësi nga kjo strategji.
Në këtë tryezë ishin të ftuar përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, aktivistë të shoqërise civile, akademikë si dhe profesionistë të fushës, të cilët në punën e tyre të përditshme janë angazhuar në edukimin ligjor të publikut, si dhe kanë kontribuar në ideimin e hartimin e kësaj strategjie.
Ky aktivitet u organizua nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në kuadër të projektit “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues”, zbatuar nën drejtimin e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë.