Ky Dokument Politikash i përgatitur nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes ka si qëllim që nëpërmjet gjetjeve dhe rekomandimeve të kontribuojë në përmirësimin e efektivitetit të instrumentave, metodave dhe qasjes së Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.
Krimi i organizuar përbën një nga sfidat e Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, duke ndikuar në disa aspekte të shoqërisë. Zhvillimi, sofistikimi dhe trendet e krimit të organizuar kanë sjellë një shtim të vëllimit të veprimtarive kriminale, si edhe zhvillime të reja të strukturimit organizativ dhe mënyrës së tij të veprimit.
Duke qenë një vend kandidat për në BE në pritje të fillimit të negociatave të pranimit për t’u bërë anëtare e plotë, lufta kundër krimit të organizuar vazhdon do të mbetet një nga treguesit kryesorë për përparimin e Shqipërisë në këtë drejtim.
Megjithëkëtë, pavarësisht përpjekjeve në këtë drejtim, vlerësimet që lidhen me rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar janë ende të dobëta, dhe në tërësi lufta ndaj krimit të organizuar ka nevojë të forcohet më tej. Kjo theksohet edhe në Raportet e Komisionit Evropian gjatë 4 viteve të fundit (2018-2021), në të cilat niveli i përgatitjes së Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ka mbetur i njëjtë (njëfarë niveli përgatitjeje).
Shqipëria filloi të miratojë një qasje strategjike për të luftuar krimin e organizuar 12 vjet më parë, në vitin 2000, ku nëpërmjet miratimit të një sërë strategjish synohej të trajtoheshin format e ndryshme të trafikimit, të përmirësoheshin sistemet e qeverisjes dhe të luftohej korrupsioni. Strategjia e parë Ndërsektoriale për Luftën kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit u miratua në vitin 2008 dhe pas përfundimit të saj qeveria shqiptare miratoi Strategjinë Ndërsektoriale për Luftën kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmin 2013-2020 dhe Planin e Veprimit për vitet 2013-2016. Ndërkohë, në fund të vitit 2020 u miratua Strategjia e re kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, 2021-2025 dhe plani i veprimit 2021-2022.
Pavarësisht hartimit dhe zbatimit të kuadrit strategjik për të luftuar krimin e organizuar, mund të thuhet se ka munguar një qasje e mirëpërcaktuar në adresimin e këtij fenomeni. Kjo ka ardhur edhe si rezultat i mangësive të identifikuara për të kryer vlerësime sistematike, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në një metodologji të mirëpërcaktuar, në mënyrë që të bëhet e mundur dhe të reflektohen objektiva dhe tregues konkretë në përputhje me parimet e përcaktuara.
Duke qenë një kërcënim serioz edhe për vetë vendet evropiane, politikat e Bashkimit Evropian në luftën kundër krimit të organizuar janë fokusuar në përdorimin e një sërë qasjesh duke përfshirë si ato parandaluese edhe ato goditëse, të cilat kanë integruar forcimin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë penale. Ajo çfarë mbetet përcaktuese dhe e rëndësishme në këto qasje është kryerja e analizave dhe vlerësimeve me qëllim identifikimin e kërcënimeve dhe prioriteteve për të ndërtuar më pas objektiva, aktivitete dhe masa, të cilat t’i përgjigjen sfidave aktuale që paraqet krimi i organizuar.
Në këtë kontekst edhe Shqipëria ka nevojë për të adresuar qasje të mirëpërcaktuara, të cilat të ofrojnë një kombinim të parimeve të parandalimit, goditjes, mbrojtjes, dhe rritjes së vetëdijes, me qëllim ndërhyrjen efektive kundër veprimtarive të krimit të organizuar. Gjithashtu është e rëndësishme që këto procese të jenë multidisiplinore dhe gjithëpërfshirëse, duke ndërtuar një kornizë për diskutim dhe konsultim publik të informuar, duke përfshirë në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme aktorë shoqërorë dhe palë të interesuara, si dhe duke përmirësuar në këtë mënyrë debatin publik mbi politikat dhe qasjet kundër krimit të organizuar.