Ndryshimet me karakter kushtetues dhe ligjor që u ndërmorrën synuan rritjen e efiçiencës dhe efektivitetit të drejtësisë penale nëpërmjet konsolidimit të misionit dhe funksioneve të prokurorisë, si dhe përmes riorganizimit të strukturave të saj dhe rishpërndarjes së përgjegjësive mes tyre.
Disa vite nga zbatimi i këtyre ndryshimeve dhe riorganizimi i thuasje të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe krijimit të atyre të reja, Shqipëria vazhdon të ketë njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që lufta kundër krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore, abuzimit seksual të fëmijëve në internet dhe pastrimit të parave mbeten fusha problematike në të cilat nevojiten më shumë rezultate.
Praktikat efektive të ndjekjes penale luajnë një rol kyç jo vetëm në adresimin dhe trajtimin efektiv të fenomeneve më lart, por edhe në formësimin e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë. Në këtë kontekst, tryeza e diskutimit “𝑷𝒓𝒊𝒐𝒓𝒊𝒕𝒆𝒕𝒆𝒕, 𝑺𝒇𝒊𝒅𝒂𝒕 𝒅𝒉𝒆 𝑴𝒖𝒏𝒅𝒆̈𝒔𝒊𝒕𝒆̈ 𝒆 𝑺𝒉𝒆̈𝒓𝒃𝒊𝒎𝒊𝒕 𝒕𝒆̈ 𝑷𝒓𝒐𝒌𝒖𝒓𝒐𝒓𝒊𝒔𝒆̈ 𝒏𝒆̈ 𝑺𝒉𝒒𝒊𝒑𝒆̈𝒓𝒊: 𝑹𝒓𝒊𝒕𝒋𝒂 𝒆 𝒃𝒆𝒔𝒊𝒎𝒊𝒕 𝒕𝒆̈ 𝒑𝒖𝒃𝒍𝒊𝒌𝒖𝒏 𝒏𝒆̈ 𝒑𝒓𝒐𝒄𝒆𝒔𝒊𝒏 𝒆 𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈ 𝒑𝒆𝒏𝒂𝒍𝒆” e organizuar nga CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes pati si qëllim nxitjen e diskutimeve me aktorë të rëndësishëm mbi sfidat aktuale me të cilat përballet shërbimi i prokurorisë për të kuptuar çfarë nuk shkon apo pengon performimin e institucionit sipas pritshmërive.
Gjetjet dhe rekomandimet e kësaj tryeze dhe do të jenë pjesë e studimit të përgatitur nga CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, i cili do të publikohet së shpejti.
Analiza e kryer ka si qëllim të identifikojë dhe kryejë një vlerësim të mekanizmave kryesore të nevojshëm për funksionimin efikas të shërbimit të prokurorisë në Shqipëri, me qëllim ofrimin e rekomandimeve, të cilat mbështesin forcimin e sistemit të drejtësisë dhe politikave penale si një garanci për hetimin dhe trajtimin efikas të veprave penale.