Takim mbi forcimin e demokracisë përmes angazhimit të qytetarëve dhe rritjen e integritetit të partive politike

Korça ishte qyteti i radhës ku u zhvillua diskutimi mbi forcimin e demokracisë përmes angazhimit të qytetarëve dhe rritjen e integritetit të partive politike. Demokratizimi i partive politike është i lidhur edhe me procesin e anëtarësimit në BE, pasi një sistem politik i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës është një nga kriteret kyçe për forcimin e institucioneve demokratike dhe përmbushjen e standardeve europiane. Gjithashtu, u trajtua edhe roli i shoqërisë civile dhe akademisë në procesin e demokratizimit dhe anëtarësimit të vendit në BE, duke u theksuar rëndësia e angazhimit qytetar dhe monitorimit të proceseve demokratike.

Biseda mes pjesëmarrësve u fokusua tek demokracia e brendshme e partive politike,  proceset transparente dhe gjithëpërfshirëse në vendimmarrje, duke garantuar që anëtarët të kenë një rol më aktiv në përcaktimin e axhendës politike.

Përfaqësimi i grupeve shoqërore në struktura drejtuese dhe vendimmarrëse u trajtua si një sfidë që kërkon politika të qarta për të siguruar një angazhim më të madh të të rinjve, grave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara.

Me qëllim shmangien e ndikimeve të papërshtatshme dhe për të garantuar një financim të ndershëm dhe të ligjshëm të partive dhe fushatave elektorale, nevojitet mbikëqyrje më e fortë e financimeve që partitë politike përfitojnë.

Komunikimi i partive politike me anëtarët dhe zgjedhësit u analizua duke vënë theksin tek rëndësia e qasjes së hapur dhe të drejtpërdrejtë, e cila forcon besimin dhe angazhimin qytetar në proceset politike.

Rekomandimet e BE-së për Shqipërinë mbeten një udhërrëfyes i rëndësishëm për përmirësimin e demokracisë dhe forcimin e institucioneve demokratike. Gjatë diskutimit, u theksua se përmbushja e këtyre rekomandimeve kërkon angazhim të vazhdueshëm nga institucionet dhe aktorët politikë për të siguruar një qeverisje më transparente dhe të përgjegjshme. Zbatimi i reformave të propozuara nga BE, sidomos në fushat e sundimit të ligjit, transparencës financiare dhe pjesëmarrjes qytetare, është thelbësor për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit dhe për të ndërtuar një sistem politik më funksional dhe të besueshëm.

Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu rëndësinë e fuqizimit të qytetarëve në monitorimin e demokracisë dhe vendimmarrjes. Përfshirja aktive e shoqërisë civile dhe qytetarëve në proceset politike është një instrument i fuqishëm për të rritur llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve. Krijimi i mekanizmave për konsultime të rregullta me qytetarët dhe promovimi i kulturës së pjesëmarrjes demokratike u vlerësua si një hap thelbësor për të siguruar që politikat publike të reflektojnë nevojat dhe interesat e qytetarëve.

Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve për kontributin e tyre në këtë debat të rëndësishëm për të ardhmen demokratike të Shqipërisë!

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Nxitja e diskutimit publik dhe përfshirja e qytetarëve për të garantuar llogaridhënie dhe integritet të partive politike dhe zgjedhjeve”, në bashkëpunim me Forumin e Mendimit të Lirë dhe New Policy Group dhe me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy. Gjithashtu ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Muajit të Angazhimit të Shoqërisë Civile për BE-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *