Media dhe gazetarët kanë një rol thelbësor në informimin e publikut mbi çështjet e integrimit evropian, të cilat duhet të kenë një hapësirë më të madhe dhe cilësore në diskutimet në publik dhe media.
Në kuadër të Muajit të Angazhimit të Shoqërisë Civile për Integrimin Evopian, ditën e sotme u zhvillua një diskutim i hapur me Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, z. Reinout Vos dhe përfaqësues të medias, i cili u fokusua në:
Sfidat kryesore që lidhen me raportimin e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian;
Forcimin e rolit dhe angazhimit të medias dhe gazetarëve në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian;
Eksplorimin e mundësive për përfshirjen dhe ndërveprimin e medias dhe organizatave të shoqërisë civile në çështjet e integrimit evropian.
Disa nga rekomandimet e rëndësishme që dolën nga diskutimet e zhvilluara në këtë tryezë përfshijnë:
Rritjen e ndërgjegjësimit të vetë gazetarëve mbi rëndësinë e procesit të negociatave me BE dhe forcimin e rolit kritik të medias në raportimin e çështjeve të integrimit;
Bashkërendimin e dhënies së informacionit nga media me faktorë të tjerë shoqëror, siç janë organziatat e shoqërisë civile, grupet e interesit si dhe publiku i gjerë;
Rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e njohurive teknike të gazetarëve mbi procesin me qëllim informimin sa më të saktë të publikut;
Rritjen e advokimit ndaj institucioneve përgjegjëse për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe aksesit në informacion.
Takimet vijuese më përfaqësues të medias dhe gazetarë janë në fokus të objektivave të projektit, me qëllim adresimin e mëtejshëm të rekomandimeve të dala nga kjo tryezë si edhe përfshirjen e komunitetit të gazetarëve në proceset dhe rezultatet që kanë të bëjnë me negociatat për Cluster 1.