Më 13 shkurt 2025, në ambientet e Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH), u zhvillua workshop-i i parë mbi raportimin profesional dhe të saktë të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky aktivitet u organizua nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (QSDG) në kuadër të një bashkëpunimi institucional me RTSH-në, me qëllim forcimin e kapaciteteve të gazetarëve për mbulimin e çështjeve të integrimit evropian.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mënyrës së raportimit mbi Grupkapitullin 1 “Themeloret”, i cili përfshin sundimin e ligjit, të drejtat themelore, administratën publike dhe prokurimet publike. Duke pasur parasysh kompleksitetin e negociatave të anëtarësimit, roli i medias publike është jetik për informimin e saktë të qytetarëve mbi ecurinë e reformave dhe kërkesat e BE-së.
Qëllimi kryesor i këtij workshop-i ishte forcimi i kapaciteteve të gazetarëve të RTSH-së për të kuptuar më mirë dhe për të raportuar mbi procesin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Përmes këtij aktiviteti, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë mbi sfidat kryesore të mbulimit mediatik të negociatave dhe mbi rëndësinë e një raportimi të bazuar në burime të sakta dhe të besueshme.
Gjatë workshop-it, ekspertët e QSDG-së prezantuan 9 temat kryesore, të cilat do të trajtohen në mënyrë të detajuar në trajnimet e ardhshme për gazetarët e RTSH-së. Çdo tematikë u prezantua përmes një qasjeje analitike dhe krahasuese me përvojën e vendeve të tjera që kanë kaluar nëpër procesin e anëtarësimit në BE.
Gazetarët pjesëmarrës mirëpritën këtë nismë, duke e konsideruar atë një mundësi të rëndësishme për të thelluar njohuritë mbi procesin e integrimit në BE. Ata theksuan nevojën për vazhdimin e bashkëpunimit me organizatat e ekspertëve për të garantuar një raportim më të saktë dhe të thelluar mbi çështjet e BE-së.
Pjesëmarrësit theksuan se:
- Mungesa e aksesit në informacion dhe burimet e specializuara janë pengesë për një raportim të thelluar mbi negociatat.
- Bashkëpunimi me ekspertët e BE-së dhe organizatat e shoqërisë civile do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së raportimit.
- Trajnimet e ardhshme duhet të fokusohen në përpunimin e të dhënave dhe teknikat e analizës investiguese mbi reformat dhe zbatimin e tyre.
Ky trajnim është vetëm hapi i parë i një serie aktivitetesh që synojnë të rrisin kapacitetet e gazetarëve për të raportuar në mënyrë profesionale dhe të saktë mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.