Tryezë e diskutimit mbi efikasitetin dhe zbatueshmërinë e Planeve të Integritetit nga Institucionet Publike me risk të lartë korrupsioni

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) zhvilloi ditën e sotme tryezën e diskutimit mbi efikasitetin dhe zbatueshmërinë e Planeve të Integritetit nga Institucionet Publike me risk të lartë korrupsioni, moderuar nga gazetari i mirënjohur Lutfi Dervishi.

Korrupsioni në Shqipëri konsiderohet “problem serioz” nga raporti vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë (Tetor 2023).

Që prej vitit 2014 ka patur nisma për të luftuar korrupsionin (edhe me ndihmën e teknologjisë) në fillim me faqen zyrtare stopkorrupisonit.al dhe tashmë shqipëriaqeduam.al. Por këto mekanizma po minimizojnë apo dobësojnë mekanizmat ekzistues ligjorë sikurse është nevoja për zbatimin e ligjit të posaçëm për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e sinjalizuesve të korrupsionit.

Është pozitiv fakti që institucionet e reja të drejtësisë (SPAK dhe GJKKO) po hetojnë dhe gjykojnë raste të rëndësishme të korrupsionit, të cilat po zhbëjnë e tabunë e pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivel të lartë. Megjithatë, nisur nga niveli shqetësues i korrupsionit, është e nevojshme të forcohen edhe mekanizmat e tjerë, sikurse është përmirësimi cilësor dhe zbatimi efektiv i planeve të integritetit të miratuara nga disa institucione në nivel vendor dhe qendror. Sfidë për Shqipërinë mbetet kalimi nga fjalët, në vepra konkrete që do të sjellin rezultate të dukshme dhe të prekshëm për forcimin e integritetit dhe uljen e rreziqeve të korrupsionit.

Raporti i GRECO për Shqipërinë vendos në dukje mungesën e Monitorimit sa i përket Planeve të Integritetit, ndërkohë që për Planet e Integritetit (PI) të 4 Institucioneve që u morën në analizë rezulton se ka metodologji të ndryshme në hartim dhe monitorim. Pozitiv është fakti se Ministria e Drejtësisë ka hartuar nje model unik për raportimin si dhe ka ngritur rrjetin me 44 koordinatorë për monitorimin e masave të Strategjisë e Planit të Veprimit Antikorrupsion që synojnë të parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin.

Shqetësuese në raportimet e përcjella për planet e integritetit mbetet mos konceptimi i duhur i integritetit dhe fokusimi te sasia në dëm të cilësisë. Është evidente nevoja për forcimin e integritetit duke parashikuar rregulla sa i përket dhuratave, sponsorizimeve, lobimeve, këshilltarëve politikë si dhe përqafimit të modeleve më të mira të BE-së në drejtim të integritetit.

Përfaqësuesit në nivel Teknik të institucioneve të përfaqësuara në panel, pranuan në tërësi nevojën për të reflektuar dhe zbatuar rekomandimet e Dokumentit të Politikave të përgatitur nga ekspertja e KShH-së, Prof@Jonidarystemaj. Përfaqësues të Policisë së Shtetit raportuan se është krijuar sektor të veçantë për trajtimin e ankesave si ato që vijnë nga bashkëqeverisja (shqipëriaqeduam.al) ashtu edhe ankesat e tjera. Ministria e Financave raportoi se është në proces të mbarimit të draftit për Planin e Integritetit 2024-2026 se ka identifikuar sektorët me risk të lartë dhe është në proces të realizimit të Kodit Etik. Ministria e Shëndetësisë raportoi se ka bërë vlerësimin e riskut për Janar – qershor 2022 dhe zbatimi ka nisur ne qershor 2022.

Së shpejti, KShH do të publikojë në faqen e tij zyrtare raportin e parë të monitorimit të këtij lloji mbi cilësinë dhe zbatimin e planeve të integritetit në 4 Institucionet e marra si kampion për këtë analizë.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të iniciativës “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues” C1-EU-NPA, zbatuar së bashku me një konsorcium organizatash vendase Cluster One Eu Negotiations Platform – Albania @CSDG, @ISP dhe @AIS. Përmbajtja e diskutimeve të këtij eventi përfaqëson këndvështrimet dhe është përgjegjësi individuale e Komitetit Shqiptar të Helsinkit; nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Mbretërisë së Hollandës, C1-EU-NPA ose ndonjë organizate tjetër partnere.