Një debat konstruktiv, gjithëpërfshirës dhe në kohën e duhur lidhur me standardet dhe sfidat e integritetit në procesin e ardhshëm zgjedhor, me fokus krimet zgjedhore, transparenca financiare dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore.
Pjesë e tryezës ishin drejtues të institucioneve ligjzbatuese dhe përgjegjëse për zgjedhjet (Ilirjan Celibashi (KQZ), Olsian Çela (PP) dhe Altin Dumani (SPAK), përfaqësuesit e partive kryesore politike Etilda Gjonaj dhe Elena Xhina (PS), Oerd Bylykbashi dhe Jorida Tabaku (PD); përfaqësuesit e shoqërisë civille, ekspertë shqiptarë dhe të huaj.
Tryezës iu drejtuan me mesazhe ambasadorët Reinout Vos (Holandë) Nick Abbot (Britania e Madhe) dhe Silvio Gonzato (BE).
Në emër të organizatave të shoqërisë civile sollën gjetjet dhe rekomandime prioritare Afrim Krasniqi (ISP) mbi financimin / transparencën elektorale, Erida Skëndaj (KSHH) mbi hetimin e krimeve zgjedhore, Rigels Xhemollari (QQ) mbi burimet shtetërore në fushatë dhe Valbona Kuko (WFD) mbi integritetin e partive politike.
E moderuar nga gazetari Lutfi Dervishi debati trajtoi këndvështrimet e institucioneve, partive dhe shoqërisë civile lidhur me sfidat prioriare të procesit aktual zgjedhor dhe nevojën për standarde më të larta në zbatimin e ligjit. Shoqëria civile solli të dhëna nga monitorimet aktuale dhe reflektime nga proceset e kaluara, PP dh SPAK prezantuan platformat e tyre të angazhimit në kuadër të zgjedhjeve, KQZ sfidat kryesore brenda kuadrit aktual ligjor dhe partitë pritshmëritë dhe angazhimet e tyre.
Zgjedhjet janë burimi i legjitimitetit të institucioneve kryesore dhe demokracisë funksionale. Ato janë shumëfish të lidhura me elementët e shtetit të së drejtës, demokracisë, antikorrupsionit, mirëqeverisjes, transparencës dhe llogaridhënies, të përfshirë në kapitullin e parë (Cluster One) me Bashkimin Europian. Shqipëria është në proces negociatash, ndaj zgjedhjet e vitit 2025 janë një test maturie dhe integriteti për institucionet, partitë politike dhe standardet zgjedhore.
Dy nismat, projekti “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, si dhe projekti “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike, kanë mbështetur disa prej aktorëve të shoqërisë civile të fokusuar në këto problematika.