Vitin e shkuar në vendin tonë një rrjedhje masive e të dhënave personale dhe sensitive të shtetasve tronditi opinionin publik si dhe u dëshmua vulnerabiliteti i subjekteve të të dhënave dhe përpunimit në një shkallë të gjerë të të dhënave personale edhe me natyrë sensitive. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si autoriteti përgjegjës, i pavarur që mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin, mbrojtjen e të dhënave personale, duke respektuar e garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, zhvilloi një hetim administrativ mbi këto ngjarje.
Në vijim të këtyre ngjarjeve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka hartuar një Policy/Position Paper ku vlerësohet analiza e realizuar në terma sasiorë dhe cilësore rreth ecurisë së ndjekjes penale dhe ndëshkueshmërinë e autorëve të dyshuar për ngjarjet e rrjedhjeve masive të të dhënave personale dhe sensitive të shtetasve. Ky dokument analizon gjithashtu mangësitë ligjore vendase të cilat krijojnë premisat për cenimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave dhe nevojën për përmirësimin e kuadrit ligjor duke marrë parasysh dhe kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.
Ky dokument do të diskutohet me aktorë kyç në mbrojtjen dhe garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve në vendin tonë, në një tryezë të hapur diskutimi, ku ide, opinione dhe sugjerime do të ndahen mbi këtë dokument.