Vota e diasporës: baza kushtetuese, legjislacioni zgjedhor  dhe sfidat në jetësimin e reformës zgjedhore

“Vota e diasporës: baza kushtetuese, legjislacioni zgjedhor  dhe sfidat në jetësimin e reformës zgjedhore” ishte tematika që mblodhi sot në një tryezë diskutimi diplomatë, deputetë, ekspertë dhe përfaqësues nga shoqëria civile për të diskutuar sfidat aktuale të votës nga jashtë, në prizmin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe procesit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Aktiviteti u zhvillua nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) në kuadër të projektit “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien në përmbushje të kritereve të Grupit të Parë të Kapitujve Negociues”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë, i cili po zbatohet në bashkëpunim me disa organizata të shoqërisë civile, nën drejtimin e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG). Pjesë e panelit të diskutimit ishin Z. Reinout Vos, ambasador i Vendeve të Ulta në Shqipëri, i cili theksoi rëndësinë që kanë tryeza të tilla diskutimi në realizuara në kuadër të Cluster One, Z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror për Zgjedhjet, Znj. Jorida Tabaku, Kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, z. Lavdrim Krrashi, kryetar i Nënkomisionit për diasporën dhe migracionin,  deputeti z. Oerd Bylykbashi. 

Dy ekspertë znj. Nadia Rusi dhe z. Bledar Milaqi prezantuan 2 punime shkencore mbi praktikat e mira aktuale në disa vende, rëndësisë së votës së diasporës në Shqipëri, ndikimet e vendimmarrjes nga Gjykata Kushtetuese si dhe krijimin e garancive ligjore mbi të drejtës e votës për emigrantët.  Materialet e plota të ekspertëve do të publikohen në faqen zyrtare të Cluster One, Institutit të Studimeve Politike dhe organizatave partnere.