Instituti i Kosovës për Drejtësi, në bashkëpunim me CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe Center for Investigative Journalism SCOOP-Macedonia, organizoi një konferencë rajonale mbi fqinjësinë e mirë dhe performancën institucionale në procesin e integrimit evropian. Diskutimi mblodhi përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe institucione publike. Pjesëmarrësit theksuan se integrimi evropian është një proces i vazhdueshëm, i cili shtrihet edhe përtej anëtarësimit formal, ndërsa fqinjësia e mirë tashmë është vendosur si një kusht kyç për të shmangur importimin e çështjeve të pazgjidhura brenda BE-së. U theksua gjithashtu se partitë politike shpesh ndikojnë në mënyrën se si qytetarët e perceptojnë dhe angazhohen me fqinjësinë e mirë, ndërsa mungesa e ndërlidhjes efektive në rajon e thellon më tej këtë problematikë.
Pjesëmarrësit diskutuan se procedurat e zgjatura, dinamika politike në dhe roli i çështjeve bilaterale kanë kontribuar në pasiguri, rënie të besimit publik dhe lodhje nga procesi i zgjerimit, duke krijuar një hendek ndërmjet proceseve teknike dhe pritshmërive të qytetarëve. Diskutimi nënvizoi se avancimi i integrimit evropian kërkon zbatim të qëndrueshëm të obligimeve, diskurs politik konstruktiv dhe bashkëpunim më të fortë rajonal. Kjo konferencë shënoi përmbylljen e tre punëtorive rajonale, të cilat do të rezultojnë me një dokument politikash që thekson boshllëqet dhe mundësitë për të avancuar progresin dhe bashkëpunimin në kuadër të Grupkapitullit 1 të BE-së.
Projekti mbështetet nga Western Balkans Fund dhe synon ndërtimin e një qasjeje më të koordinuar rajonale për avancimin e reformave në kuadër të Grupkapitullit 1.
