Tryezë Diskutimi ”Efektet e Reformës së Hartës Gjyqësore në Sistemin e Prokurorisë në Shqipëri”

Komiteti Shqiptar i Helsinkit zhvilloi një tryezë diskutimi mbi dokumentin e politikave që analizon ndikimin që ka sjellë zbatimi i hartës së re gjyqësore në funksionimin e sistemit të prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm në Shqipëri, duke u fokusuar tek ngarkesa e punës, eficienca, shpërndarja territoriale e çështjeve, burimet njerëzore, infrastrukturore dhe efektet institucionale të riorganizimit gjyqësor territorial në këtë sistem, të vitit 2022.

Dokumenti synon gjithashtu të plotësojë boshllëkun ekzistues në analizën e kryer nga Këshilli i Lartë Gjyqësor mbi hartën gjyqësore, e cila është fokusuar tek sistemi gjyqësor dhe jo tek ndikimi paralel që harta do të kishte në sistemin e prokurorisë.

Analiza mbështetet në një metodologji krahasuese dhe statistikore “para dhe pas hartës”, duke marrë si periudhë reference vitet 2021–2022 (para hyrjes në fuqi të hartës së re gjyqësore) dhe vitet 2023–2025 si periudhë e zbatimit të saj.

Të dhënat tregojnë se harta e re gjyqësore nuk është shoqëruar me një ulje të qëndrueshme të volumit të procedimeve penale në sistemin e prokurorisë. Ҫështjet në ndjekje nga prokuroritë e JP të shkallës së parë ng 47,475 në vitin 2021 arritën në 50,058 në vitin 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 5.4% gjatë periudhës së analizuar.

Ndërkohë, procedimet e reja të regjistruara në secilin vit nga 24,095 në vitin 2023, arritën në 27,049 në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 12.3% vetëm në dy vitet e plota pas hyrjes në fuqi të hartës gjyqësore.

Këta tregues tregojnë se, pavarësisht riorganizimit territorial të juridiksionit të përgjithshëm, sistemi prokurorisë vijon të përballet me një volum pune në rritje. Një nga treguesit më domethënës për periudhën e marrë në analizë është rritja e stokut të çështjeve të mbartura. Procedimet e mbartura, nga 18,192 në vitin 2021, arritën në në 22,825 në vitin 2025. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej rreth 25.5% të backlog-ut në nivel kombëtar.

Megjithatë, efekti më i ndjeshëm evidentohet në raport me numrin e prokurorive. Pas reformës, sistemi kaloi nga 28 prokurori në vetëm 14 struktura të juridiksionit të përgjithshëm. Për pasojë, backlog-u mesatar për prokurori u rrit nga rreth 826 çështje në vitin 2021, në rreth 1,756 çështje në vitin 2025.

Analiza e treguesve të KShH-së demonstrojnë se reduktimi i numrit të prokurorive kanë sjellë një përqendrim shumë më të madh të stokut të çështjeve në pak prokurori të mëdha territoriale.

Kjo tryezë u përshëndet nga Z.Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Hollandës në Tiranë, Z.Silvio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Znj. Mirela Bogdani, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Znj. Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Z. Ilir Rusi, Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Z.Kostaq Beluari, Prokuror/Drejtues i Drejtorisë së Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, Z.Elion Mustafaj, Drejtues i Prokurorisë së Shkallës së Parë Fier, Z.Gëzim Spahiu, Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve.

Ky event i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) është realizuar në kuadër të nismës C1 – EU – NPA, “Përmirësimi i Debatit mbi Politikat dhe Llogaridhënien për të Përmbushur të Drejtat Bazike, përmes krijimit të Platformës së Negociatave të Cluster 1 Shqipëri”, me mbështetjen financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Hollandës në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *