Në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Integrimit Evropian, CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes organizoi një tryezë diskutimi kushtuar rolit të qasjes administrative në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
Gjatë aktivitetit u prezantuan gjetjet kryesore të Vlerësimit Bazë Kombëtar, i zhvilluar në kuadër të projektit “Promovimi i përdorimit sistematik të qasjes administrative për luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri”. Ky studim ofron një analizë të parë të konsoliduar mbi kuadrin ligjor dhe institucional në vend, si dhe mbi mënyrën se si instrumentet administrative mund të përdoren për të parandaluar depërtimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe në institucionet publike.
Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, parlamentit, agjencive rregullatore, akademisë, medias dhe shoqërisë civile, të cilët diskutuan mbi potencialin që ka administrata publike për të vepruar në mënyrë më të hershme dhe më parandaluese ndaj risqeve të infiltrimit kriminal.
Diskutimet theksuan se, ndonëse Shqipëria disponon një sërë mekanizmash administrative, si licencimi, inspektimet, kontrolli i prokurimeve publike, transparenca e pronësisë dhe mbikëqyrja financiare, përdorimi i tyre në praktikë mbetet shpesh i fragmentuar dhe i pamjaftueshëm i koordinuar. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, për përdorimin më sistematik të të dhënave administrative dhe për zhvillimin e mekanizmave të përbashkët të analizës së riskut.
Aktiviteti synoi të shërbejë gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e perspektivave ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse mbi sfidat praktike të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbi hapat që mund të ndërmerren për të institucionalizuar më tej qasjen administrative si një instrument të rëndësishëm parandalues.
| Ky diskutim lidhet ngushtë me prioritetet e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e ekonomisë së ligjshme dhe në zhvillimin e mekanizmave më efektivë për parandalimin e krimit të organizuar.
