Performanca, Llogaridhënia dhe Raportimi në Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: Rritja e Aksesit në Sistemin e Drejtësisë Penale për të Përmirësuar Transparencën dhe Monitorimin

CSDG organizoi në datën 20 Dhjetor 2023 Tryezën e Diskutimit “Performanca, Llogaridhënia dhe Raportimi në Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: Rritja e Aksesit në Sistemin e Drejtësisë Penale për të Përmirësuar Transparencën dhe Monitorimin”.

Aktiviteti pati në fokus gjetjet dhe rekomandimet e raportit të vlerësimit mbi veprimtarinë e institucioneve të posaçme ku përfshihen Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Gjykatat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të kryer nga CSDG për të 3-in vit rradhazi.

Vlerësimi synon t’i ofrojë palëve të përfshira në proces, mediave dhe publikut një vlerësim sa më të plotë jo vetëm sasior por dhe cilësor mbi veprimtarinë dhe performancën e këtyre institucioneve, duke kontribuar në përmirësimin e informimit si dhe identifikimin e mangësive dhe çështjeve të tjera relevante në funksion të përmirësimit të politikave penale dhe adresimit të masave të tjera të nevojshme.

Nga ana tjetër, nisur nga roli që këto institucione kanë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si prioritetet kryesore për përgatitjen dhe përparimin e vendit në Bashkimin Evropian, diskutimet e tryezës u fokusuan edhe në zbatimin e detyrimeve dhe përgjegjësive që lidhen me raportimin, llogaridhënien dhe transparencën e këtyre institucioneve.

Përfaqësuesit e institucioneve dakordësuan për nevojën për të përmirësuar më tej aspekte që lidhen me transparencën e institucioneve të posaçme, vlerësimin dhe analizën e të dhënave dhe statistikave përkundrejt efektivitetit të masave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me qëllim ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, llogaridhënës, të aksesueshëm, transparent dhe efiçent.

Një falenderim të veçantë për përfaqësuesit e institucioneve dhe kontribuesit në këtë tryezë: z. Altin Dumani (Drejtues i Prokurorisë së Posaçme), znj. Irena Gjoka (Zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar), znj. Klotilda Bushka (Kryetare e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut), znj. Dhurata Çupi (Zv/Kryetare e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut), z. Fatmir Xhafaj (Anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut), z. Ilir Rusi (Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor), dhe znj. Mirela Bogdani (anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *