CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes organizoi tryezën e diskutimit dhe prezantimin e raportit mbi performancën e institucioneve të posaçme në Shqipëri, duke mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, Kuvendit, partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës.
Raporti dhe diskutimet e zhvilluara evidentuan se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të reformës në drejtësi, ku fokusi nuk duhet të jetë më vetëm tek numri i hetimeve, procedimeve dhe dënimeve, por tek ndikimi real që këto rezultate prodhojnë mbi korrupsionin, krimin e organizuar, ekonominë dhe funksionimin e institucioneve.
Ndër gjetjet dhe temat kryesore të diskutuara ishin:
nevoja për të kaluar nga matja e performancës institucionale drejt vlerësimit të ndikimit sistemik;
rëndësia e hetimeve financiare dhe ndjekjes së parasë si instrumenti më efektiv për goditjen e bazës ekonomike të korrupsionit dhe krimit të organizuar;
diferenca e vazhdueshme ndërmjet sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive, si një nga sfidat kryesore për rikuperimin efektiv të përfitimeve të paligjshme;
transformimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në fenomene gjithnjë e më komplekse, financiare dhe të ndërthurura me ekonominë formale;
nevoja për të kaluar nga ndëshkimi i individëve drejt identifikimit dhe goditjes së strukturave, rrjeteve dhe mekanizmave që prodhojnë dhe riprodhojnë këto fenomene;
rëndësia e integritetit institucional, specializimit profesional dhe forcimit të kapaciteteve përballë sfidave të reja hetimore;
roli i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në adresimin e fenomeneve që veprojnë përtej kufijve institucionalë dhe shtetërorë;
rëndësia e edukimit, parandalimit dhe ndërtimit të një kulture integriteti përtej instrumenteve tradicionale të ndëshkimit penal;
roli i Kuvendit dhe mbikëqyrjes parlamentare në vlerësimin e rezultateve, efektivitetit dhe ndikimit të reformës në drejtësi;
lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe avancimit të procesit të integrimit europian.
Diskutimi konfirmoi se sfida e fazës së ardhshme nuk është më vetëm ndërtimi i institucioneve, por aftësia për të prodhuar rezultate të qëndrueshme, për të dobësuar ekonominë kriminale, për të forcuar integritetin institucional dhe për të krijuar ndikim real në funksionimin e shtetit dhe shoqërisë.
Raporti synon të kontribuojë në debatin mbi mënyrën se si duhet të matet sot suksesi i reformës në drejtësi dhe efektiviteti i institucioneve të angazhuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dokumenti i plotë është i disponueshëm dhe mund të aksesohet përmes linkut më poshtë
